Në atmosferën festive të fundvitit, kur dhurimi merr kuptim të veçantë dhe solidariteti ngrohon zemrat, Viva Fresh Store ka sjellë një buzëqeshje të madhe për fëmijët e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë. Me rastin e festës së Vitit të Ri, kjo kompani dhuroi 500 dhurata, të mbushura me dashuri, për të gjithë fëmijët që jetojnë dhe rriten në kujdesin tonë.

Ky gjest i bukur i mirësisë nuk solli vetëm dhurata materiale ai solli gëzim, ndjesi vlerësimi dhe një mesazh të fuqishëm se fëmijët tanë nuk janë vetëm. Ata janë të rrethuar me njerëz dhe biznese që kujdesen dhe kontribuojnë për një të ardhme më të ndritur për secilin prej tyre.
Fëmijët i pritën dhuratat me emocion, buzëqeshje dhe një ndjenjë feste që u përhap në të gjithë SOS Fshatin. Ky moment i veçantë krijoi kujtime të bukura dhe u bë dëshmi e fuqisë që ka komuniteti, kur bashkohet për një kauzë të mirë.
“Mbështetja juaj është më shumë se një ndihmë, është një mesazh dashurie dhe shprese për fëmijët tanë,” – u shpreh Albanë Zogu Morina nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.
Ne jemi thellësisht mirënjohës për bashkëpunimin me Viva Fresh Store, që tashmë është bërë një partner i rëndësishëm në rrugëtimin tonë për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe ata në nevojë.