Një 1 Qershor me më shumë dashuri: Faleminderit Viva Fresh dhe të gjithë kontribuesve të fushatës “Dhuro një pako”

Një 1 Qershor me më shumë dashuri: Faleminderit Viva Fresh dhe të gjithë kontribuesve të fushatës “Dhuro një pako”

1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, është gjithmonë një ditë e veçantë për ne në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë. Këtë vit, ajo mori një kuptim edhe më të veçantë falë solidaritetit dhe dashamirësisë së shumë njerëzve që vendosën të dhurojnë për fëmijët tanë përmes fushatës “Dhuro një pako”, të organizuar nga Viva Fresh Store.

Me shumë zemër dhe përkushtim, në ambientet tona u realizua dorëzimi i pakove ushqimore të mbledhura nga qytetarët përmes aplikacionit të Viva Fresh, të cilëve u jemi jashtëzakonisht mirënjohës. Falë secilit kontribues, fëmijët tanë përjetuan ndjesinë e kujdesit dhe mbështetjes.

Në kuadër të kësaj kampanje, Viva Fresh dhuroi edhe 50 pako shtesë, duke treguar përkushtim të vazhdueshëm në mbështetjen e kauzave që prekin jetët e fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe atyre në nevojë.

“Çdo pako e pranuar nuk ishte thjesht një ndihmë materiale, ajo përfaqëson një përqafim simbolik, një kujtim të vlefshëm se fëmijët tanë nuk janë vetëm, por kanë përreth një komunitet që kujdeset për ta,” – tha Shpend Juniku, Përgjegjës për Mbledhje të Fondeve nga Korporatat në SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.

Ne në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë jemi thellësisht mirënjohës për këtë bashkëpunim me Viva Fresh Store, si dhe për përfshirjen e qindra qytetarëve të cilët përmes një akti të thjeshtë solidariteti, sollën një ditë ndryshe për fëmijët tanë.