Fëmijët e Programit të Fuqizimit të Familjes në Fushë Kosovë kaluan një ditë të paharrueshme në natyrë! Ata vizituan një...
Kujdesi Alternativ
E drejtë e çdo fëmije, pavarësisht gjinisë, statusit socio-ekonomik, shkathtësisë, përkatësisë etnike, është të jetoj në ambient përkrahës, të sigurtë dhe të ngrohtë i cili e promovon potencialin e tij/saj të plotë. Fëmijëve u duhet më shumë se kujdes i mirë fizik. Ata kanë nevojë për ngrohtësi, vëmendje dhe një person me të cilin do të zhvillojnë një bazë të sigurtë mbi të cilën të gjitha marrëdhëniet ndërtohen. Në SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, kujdesi alternativ bazohet në konceptin e qasjes familjare për përkujdesje të fëmijëve të braktisur dhe fëmijëve që kanë humbur kujdesin prindëror.
SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, në linjë me Udhëzuesin e KB për Kujdesin Alternativ për Fëmijë, ofron shërbime direkte në përkujdesje alternative familjare përmes Kujdesit Afatgjatë në SOS Familje, Kujdesit Rinor dhe Programit të Gjysme-pavarësimit si dhe ndërtimit të kapaciteteve të profesionistëve për strehimin familjar.
Kujdesi afatgjatë në SOS Familje
U ofron fëmijëve pa përkujdesje prindërore shtëpi dhe familje, dhe përgatitje për jetë të pavarur. Familja e parë u krijua më 2004. Koncepti i SOS Familjes është i njohur si kujdes alternativ me bazë në familje për fëmijët pa përkujdesje prindërore. SOS familja përbëhet nga një SOS Prind dhe SOS Tezja, të cilëve i besohen pesë fëmijë në përkujdesje, SOS Prindi është kujdes-dhënësi kryesor në familje përderisa SOS Tezja i ndihmon familjes. Ekipi psiko-pedagogjik i SOS Fshatit të Fëmijëve, i cili përbëhet nga pedagogu, psikologu, punëtori social dhe pediatri, ofron përkrahje dhe këshillim për fëmijët dhe stafin të cilët punojnë drejtpërdrejtë me fëmijët dhe të rinjtë e kujdesit alternativ me bazë në familje. Ekipi i përkrahë të gjitha njësitë në Kujdesin Alternativ.
Duke e pasë parasysh rëndësinë e madhe të qenit të integruar në komunitet sa më shumë të jetë e mundur, SOS Fshatrat e Fëmijëve ka zhvendosur SOS familjet në komunitet, duke kontribuar kështu në zhvillimin e kujdesit alternativ me bazë në familje në Kosovë.
Kujdesi Rinor dhe Programi i Gjysmë-Pavarësimit
Qëllimi përfundimtar i shërbimeve të kujdesit rinor në Organizatën SOS Fshatrat e Fëmijëve është të përkrahë fëmijët dhe të rinjtë pa përkujdesje prindërore në formësimin e të ardhmes së tyre. Ky shërbim u mundëson të rinjve të formojnë marrëdhënie të qëndrueshme në ambient familjar dhe të shpalosin potencialin e tyre në bazë të interesit më të mirë të tyre dhe talenteve të tyre. Për më shumë, shërbimet e kujdesit u mundësojnë fëmijëve të fitojnë arsimim, thellojnë njohuritë e tyre praktike dhe të bëhen pjesëtarë të pavarur dhe kontribuues te shoqërisë.
Pasi të arrijnë moshën 18 vjeçare ose të jenë të regjistruar në studime, të rinjtë kalojnë në programin 3-vjeçar të gjysmë-pavarësimit, ku ata shkëputen fizikisht nga programi SOS dhe fillojnë jetën e pavarur, por me përkrahjen e programit në çdo hap.
Programi parasheh edhe fazën e pavarësimit të plotë që ka për qëllim të vazhdoj monitorimin e progresit të të rrënjëve, të sigurojë këshilla dhe përkrahje në situate të ndryshme me të cilat mund të ballafaqohet një i ri gjatë procesit të pavarësimit.
Fuqizimi I kapaciteteve për Strehimi Familjar
Në përgjigje të reformave te vazhdueshme të sistemit të kujdesit të fëmijëve, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë kontribuon në zhvillimin e shërbimeve të strehimit familjar përmes iniciativave të ndryshme në përkrahje të qeverisë së Kosovës. Njëra ndër iniciativat kryesore është ngritja e kapaciteteve të profesionistëve që punojnë në fushën e strehimit familjar por edhe familjeve strehuese duke implementuar Modelin e Praktikës PRIDE.
Modeli PRIDE është një model për zhvillimin dhe mbështetjen e familjeve strehuese dhe adoptuese si dhe të profesionistëve që punojnë në këtë fushë. Kjo qasje ka për qëllim të përforcoj cilësinë e shërbimeve të kujdesit të strehimit familjar dhe adoptimit duke siguruar një kornizë të standardizuar, të qëndrueshme dhe të strukturuar për rekrutimin, përgatitjen dhe zgjedhjen e prindërve strehues dhe prindërve adoptues.
Në çdo formë të kujdesit alternativ të cilin ne e ofrojmë, gjithmonë interesi më i mirë i fëmijës është primar.