5

SOS Fshatrat e Fëmijëve shënojnë ditëlindjen e themeluesit të saj, Hermann Gmeiner

Fundi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti botën të shkatërruar në të gjitha fushat e funksionimit të saj normal. Grupet e cenuara ishin kudo, varfëria kishte pushtuar të gjitha shtresat e popullësisë. Ishin fëmijët që kishin humbur prindërit e tyre motivi që shtyri Hermann Gmeiner të mendonte themelimin e SOS Fshatrave me qëllim që të ju ofronte këtyre fëmijëve, dashurinë, strehimin, ushqimin, edukimin, përkujdesjen dhe përkrahjen në zhvillimin e potencialeve të tyre.

Hermann Gmeiner ishte një filantrop, humanist dhe pedagog i shquar austriak dhe themelues i SOS Fshatrave te Fëmijëve. I lindur në një familje të madhe fermerësh në Vorarlberg (tani në Austri), Gmeiner ishte një fëmijë i talentuar dhe fitoi një bursë për të ndjekur mësimet në gjimnaz. Nëna e tij vdiq kur ai ishte ende një djalë i vogël dhe motra e tij më e madhe, Elsa mori për detyrë të kujdesej për vëllain më të vogël.

Duke qenë se edhe ai vet i kishte përjetuar tmerret e luftës si një ushtar në Rusi, ai u përball me izolime dhe vuajtje të shumta të luftës, me fëmijët jetimë dhe fëmijët e rrugës, si një fëmijë i një punëtori të denjë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në bindjen e tij që ndihma kurrë nuk mund të jetë efektive për aq kohë sa fëmijët duhet të rriten pa një shtëpi të tyre, ai ishte i vendosur për zbatimin e ides së tij për SOS Fshatrat e Fëmijëve.

Nga viti 1985 si rezultat i punës së Hermann Gmeinerit, kishte një total prej 233 SOS Fshatrave të Fëmijëve në 85 vende të botës. Në shenjë mirënjohjeje ndaj shërbimeve të tij për fëmijët jetimë dhe të braktisur, Gmeiner mori edhe çmime të shumta dhe u nominua disa herë për Çmimin Nobel për Paqe.

Megjithatë, ai gjithmonë e theksonte se suksesi i tij ishte vetëm në sajë të mbështetjes së miliona njerëzve të cilët e kishin ndihmuar. Ai thoshte se: “Është e lehtë të bësh mirë kur të gjithë ndihmojnë”.

Hermann Gmeiner vdiq në Innsbruck në vitin 1986. Ai u varros në SOS Fshatin e Fëmijëve në Imst. Sot në 136 shtete dhe territore të ndryshme SOS Fshatrat e Fëmijëve përkrahin dhe përkujdesen për fëmijët përmes 559 SOS Fshatrave.

Vlerësohet se të paktën 220 milion fëmijë në botë rriten pa kujdes adekuat prindëror. Ambicia e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Botë mbetet përmirësimi i kujdesit për fëmijët të cilët janë në rrezik, duke i hequr ato nga kushte të pasigurta dhe duke i ndihmuar ata të kenë sukses në jetë. Për ta bërë këtë, SOS ofron mbështetje gjithëpërfshirëse për fëmijët, të rinjtë dhe familjet në të gjitha fushat e jetës.

Sipas studimeve të organizatave më kredibile vlerësohet se 153 milion fëmijë në mbarë botën janë të braktisur (UNICEF).

Për më shumë se 70 vite, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Botë kanë  punuar me partnerë në secilin komunitet duke i ndihmuar familjet të kujdesen për fëmijët e tyre ose duke siguruar një alternativë, për shembull një SOS familje, në të cilën dashuria e kujdestareve është thelbësore. Çdo gjë që bëjmë bazohet në interesat më të mira të fëmijës. Ne përqëndrohemi në kujdesin, shëndetin, arsimimin dhe zhvillimin e përgjithshëm të secilit fëmijë.

SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë veprojnë që nga viti 1999 dhe tashmë janë përkujdesur për mbi 1000 fëmijë të braktisur, pa përkujdesje prindërore dhe nevojtarë. SOS Fshati i Fëmijëve, në lagjen Velania në Prishtinë momentalisht ofron strehim, përkujdesje, edukim dhe përkrahje për rreth 600 fëmijë,  gjithashtu afër 200 familje aktualisht përfitojnë nga programet dhe projektet e SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë.

SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë vepron si një organizatë e pavarur, joqeveritare për zhvillim social. Ne respektojmë kulturat dhe religjionet e ndryshme, dhe punojmë nëpër vende dhe komunitete të ndryshme, ku misioni ynë mund të kontribuoj për zhvillim. Ne punojmë në frymën e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.

Me konceptin e SOS Fshatit të Fëmijëve, organizata jonë ka udhëhequr qasjen familjare për kujdesin afatgjatë të fëmijëve jetimë dhe fëmijëve të braktisur.

Ne me ndihmën e donatorëve kemi arritur t’i plotësojmë për fëmijët kushtet optimale të jetesës. Të gjitha objektet tona plotësojnë kërkesat së paku minimale të përcaktuara në Konventën e Kombëve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve. Ne besojmë se i ofrojmë fëmijëve në kujdesin tonë çdo mundësi për të arritur potencialin e tyre të plotë. Kjo varion nga sigurimi i akomodimit deri tek cilësia e edukimit, e punësimit të tyre.

Të gjitha SOS Nënat e angazhuara kanë përgatitjen shkollore dhe disa muaj trajnim para se të vendosen në pozicion të kujdesen për fëmijët. Vetëm atëherë kur të jenë të përgaditura, të gatshme dhe të motivuara mjaftueshëm ato marrin përgjegjësitë e shenjta në ofrimin e kujdesit, dashurisë dhe shërbimit ndaj fëmijëve SOS. Në vazhdimësi SOS Familjet përkrahen nga stafi psiko-pedagogjik dhe jo vetëm në plotësimin e kërkesave dhe nevojave të fëmijëve SOS.

Ne jemi të udhëhequr nga misioni ynë – të ndërtojmë familje për fëmijët në nevojë, të ndihmojmë ata të krijojnë të ardhmen e tyre dhe të kontribuojmë në zhvillimin e komuniteteve të tyre.

Ne konsiderojmë se bëjmë një punë të shenjtë sepse ashtu siç ka thënë Hermann Gmeiner “Asgjë në botë, më duket mua, nuk është më me rëndësi se sa të kujdesesh për fëmijët”. Mirëpo ne vetëm nuk mund të arrijmë asgjë prandaj në këtë përvjetor falenderojmë të gjithë donatorët SOS që mundësojnë jetesë më të mirë për fëmijët SOS.

“Është e lehtë të bësh mirë kur të gjithë ndihmojnë” – Hermann Gmeiner

Ne besojmë në porosinë e themeluesit të SOS Fshatrave në Botë i cili thoshte se: “Ditën kur ne do të bindemi që të gjithë fëmijët në botë janë fëmijët tanë, atëherë do të ketë paqe në Botë”.