5

Pavarësimi i kopshtit

SOS Kopshti është njëra ndër projektet e para të SOS Fshatrave në Kosovë. Që nga hapja e projektit  në vitin 2002, SOS Kopshti solli praktikat dhe programet më të mira të edukimit parashkollor duke u bërë model për kopshtet që do të hapeshin më vonë, por edhe për kopshtet të cilat dëshironin të punonin me praktikat dhe programet më të reja. SOS Kopshti ishte ndër të parat kopshte që punoi me planprogramin gjithpërfshirës për fëmijët me nevoja të veçanta, duke u ofruar atyre një ambient dhe planprogram të përshtatshëm për nevojat e tyre. Parimi kryesor i SOS Kopshtit është që të gjithë fëmijët kanë të drejtë për qasje në edukimin parashkollor dhe në pajtim me këtë parim SOS Kopshti çdo vit u ka mundësuar vijimin falas të kopshtit rreth 35 fëmijëve, prindërit e të cilëve nuk kishin mundësi të përballonin koston e kopshteve publike apo private. Megjithatë për arsye të qëndrueshmërisë dhe stabilitetit financiar dhe në mënyrë që SOS Kopshti të vazhdoj ofrimin e shërbimeve falas për 35 fëmijët prindërit e të cilëve nuk përballojnë shpenzimet e kopshtit, nga janar i vitit 2016 SOS Kopshti do të veprojë si OJQ Fondacion vendor me emrin Qendra sociale-edukative SOS Kopshti.  Kopshti planifikon sigurimin e fondeve nga institucionet vendore për fëmijët që vijnë nga grupet e rrezikuara, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me partnerët aktual për rritjen e qëndrueshmërisë. I gjithë fushëveprimi, programi dhe cilësia do të vazhdojë të mbetet e njëjtë dhe SOS Kopshti do të vazhdojë punën mbi parimet dhe përvojën e krijuar për vite me rradhë tashmë. SOS Fshatrat e Fëmijëve është krenar që shoqërisë sonë, gjegjësisht fëmijëve të vendit u ka ofruar një kopsht me standardet më të larta në vend dhe njëkohësisht ka arritur që nga një projekt i cili u fillua me hapa të vegjël por të sigurtë të krijojë një OJQ që do të vazhdojë misionin e saj dhe do të vazhdojë të jetë model për kopshtet tjera.